Satirë: Dr. Gjilpëra "Nacionale"!
Faik Konica, mjeshtri i letrave shqipe, ka lënë një vepër me vlera artistike të titulluar "Dr. Gjilpëra". Ai, përmes kësaj proze satirike, ka vënë në bisht të lahutës idetë prapanike të shqiptarëve dhe veset e këqija të tyre, të cilat u kanë kushtuar atyre kapuç me mëngë.Ne, zgjodhëm pikërisht këtë kryevepër letrare, ndër të paktat e letrave shqipe, si model krahasimi me një version më të shkurtër dhe të ndryshëm nga ai i Konicës, por me didaktivitetin e njëjtë, e që ka të bëjë me gjendjen e mjerueshme të politikës udhëheqëse në Luginën e Preshevës.
Po, Dr. Gjilpëra, ka pasur gjithmonë në skenën politike shqiptare të Luginës së Preshevës. Po këto të fundit, Dr. Gjilpërat, nuk janë origjinale, janë surrogat të një politike e cila përveç ndërskëmcave, brylave, përdorë edhe kamxhikun e pushtetit.
Këto “gjilpëra” shpesh të orkestruara dhe të dirigjuara nga lart, shkojnë e ngulen menderjush, aty ku s’duhet. Ato bien pre e interesave të ngushta, meskine dhe nepotiste.
Dr. Gjilpëra, nuk është vetëm një. Ka dhe të tjera gjilpëra të holla, të trasha, madje edhe me dy maja.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, tashmë i njohin Dr. Gjilpëra-t, të cilat nuk rrojnë gjithmonë me të ngulur, atyre do tu “topitet” maja ose do të shërbejnë vetëm për vete.
Populli i ka nuhatur mirë, ua dinë sherret, inatet, marifetet. Ata kanë vetëm lavd. E në popull thuhet shpesh: “Lavdi në diell e bytha në qiell!”.
Dr. Gjilpëra, është një protagonist i kohëve tona, plot me probleme ekonomike dhe politike. Ai, duke notuar mbi premtimet e dhëna elektorale, dalëngadalë po zbret në tokë. Për ta mbajtur gjallë fjalën e dhënë, shpesh bëhet qesharak, objekt humori dhe satire.
Për ta larguar vëmendjen e qytetarëve nga hallet e shumta, Dr. Gjilpëra, merret me punë të mëdha rajonale. Duke shkelur mbi problemet e vogla, rrëmbehet për gjërat që nuk i takojnë, vetëm e vetëm të tregohet se është në fokus të ngjarjeve. Sa më shuam Dr. Gjilpëra e ngarkon veten me detyra individuale dhe kolektive, maja e tij shkon e trashet. Lëre që, ai, vetë bëhet gaz i botës, por edhe shokët e tij i bënë palaço, marangozë e matrapazë.
Dr. Gjilpëra, për ta mbajtur veten në formë, shpesh shkel edhe mbi ata të cilët vetë i begenisë, duke i vënë e hequr nga privilegjet sa çel e mbyll sytë!
Jeta politike e Dr. Gjilpërës e mbarsur me shumë veprime sa qesharake aq edhe të tragjikomike, i ka sjellë Luginës një imazh më ndryshe, ç’e kishte dikur.
Akuzat e Dr. Gjilpërës se para tij, nuk është punuar mirë, drejt e qartë dhe masat preventive që ndërmerr ai, për të vënë drejtësi në një shtet të padrejtë, kanë bërë që gjërat në Luginë të shikohen në prizmin e një humori për të qarë.
Dr. Gjilpëra, nuk mund të krijoj karrierë, kur dihet sa maja e tij, ka prekur shpesh vepra, të cilat i bëjnë të skuqen ata edhe që nuk kanë asnjë fije turpi në ndërgjegjen e tyre.
Dr. Gjilpërën, do ta mbajmë në mend edhe për shumë vepra të tjera komike, të cilat do të jenë një frymëzim i mirë për ata që e kanë në shpirt artin e humorit, skeçit e teatrit.
Pa këta protagonistë të tipit të Dr. Gjilpërës, të Faik Konicës, zor se do t’i kishim qeshur me bark, përballë gjithë atyre problemeve, që na kanë paraprirë sot e 100 vjet më parë!
Ali Bagatella